Programi After School për fëmijët: Hapen aplikimet në SMIP, afat deri më 25 shtator
Prindërit kanë afat deri më 25 shtator për të regjistruar fëmijët në programin “Pas Shkolle”, i cili gjatë vitit shkollor 2026–2027 zgjerohet në 408 shkolla publike në të gjithë vendin.
Regjistrimi kryhet online përmes sistemit SMIP, ku mund të përzgjidhen edhe aktivitetet që fëmija do të ndjekë pas përfundimit të mësimit.
Sipas dokumenteve të Ministrisë së Arsimit, “Pas Shkolle” është një program edukativ, zhvillimor dhe mbështetës që zhvillohet pas përfundimit të orarit të detyrueshëm mësimor. Pjesëmarrja është vullnetare dhe kërkon miratimin e prindit ose personit që ushtron përgjegjësinë prindërore. Programi nuk zëvendëson procesin normal mësimor dhe nuk është pjesë e planit të detyrueshëm të mësimit.
Programi përfshin klasat I–V të arsimit fillor, klasat VI–IX të arsimit të mesëm të ulët dhe klasat X–XII të arsimit të mesëm të lartë. Për nxënësit e arsimit fillor parashikohen komponentët “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë” dhe “Klubet Arte dhe Zeje”, ndërsa për arsimin e mesëm të ulët dhe të lartë aktivitetet organizohen kryesisht përmes klubeve të artit dhe zejeve.
Prindërit mund të zgjedhin deri në dy klube
Përmes sistemit SMIP, prindërit mund të përzgjedhin deri në dy klube për fëmijën. Aktivitetet përfshijnë muzikë, kërcim, teatër, arte pamore, zeje dhe veprimtari sportive. Për nxënësit e arsimit fillor parashikohet edhe mbështetje për kryerjen e detyrave të shtëpisë.
Orari i programit përshtatet me përfundimin e mësimit të detyrueshëm. Nxënësit e klasave të para dhe të dyta që përfundojnë mësimin në orën 11:30 mund të qëndrojnë në shkollë deri në orën 14:00, ndërsa fëmijët që përfundojnë mësimin në orën 12:30 ose 13:10 mund të qëndrojnë deri në orën 15:00.
Programi parashikon gjithashtu krijimin e mundësive të barabarta për pjesëmarrjen e nxënësve, me vëmendje të posaçme ndaj fëmijëve nga grupet vulnerabël. Mirëqenia dhe siguria e fëmijës, barazia, bashkëpunimi me familjen dhe komunitetin, krijimtaria dhe interesi më i lartë i fëmijës përcaktohen si parime bazë të programit.
Në program mund të përfshihen edhe artistë dhe profesionistë
Shkollat duhet të organizojnë seanca informuese me nxënësit dhe prindërit për funksionimin e programit dhe përzgjedhjen e aktiviteteve. Mësuesit dhe trajnuesit duhet të hartojnë çdo muaj planin e aktiviteteve, të mbajnë evidencën ditore të frekuentimit dhe të raportojnë në fund të muajit për veprimtaritë e realizuara.
Në zbatimin e programit nuk do të angazhohen vetëm mësuesit aktualë. Mund të përfshihen edhe mësues në pension, mësues të renditur në portalin “Mësues për Shqipërinë”, si dhe artistë, artizanë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.